Të enjen, Gjykata Supreme ka vendosur t’ia ulë dënimin Edmond Lajçit, nga burg i përjetshëm në 30 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes, Gjyljeta Ukella.
Sipas njoftimit, Supremja ka vlerësuar se gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë nuk e kanë zbatuar drejt nenin 41 të Kodit Penal lidhur me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm.
Supremja përmes komunikatës theksoi se ‘burgimi i përjetshëm mund të shqiptohet vetëm në raste kur ekzistojnë rrethana veçanërisht rënduese që e dallojnë qartë rastin konkret nga rastet e zakonshme të së njëjtës vepër penale’.
Ndryshe, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit e kishin dënuar Lajçin me burgim të përjetshëm.
Lajçi ishte i akuzuar se më 16 prill të vitit 2024, rreth orës 8:00 të mëngjesit, në banesën e tij në Pejë, e ka privuar nga jeta me armë zjarri bashkëshorten e tij, viktimën Gjyljeta Ukella, për shkak të problemeve të vazhdueshme që i pandehuri kishte pasur me viktimën, duke i ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike me herët.
Kurse, ditën kritike, Lajçi kishte shtënë një herë me armë zjarri në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në pjesën ballore të kokës dhe si pasojë e kësaj të shtëne është shkaktuar vdekja e menjëhershme e viktimës.




















