Modelja e famshme franceze Thylane Blondeau, e cila që në fëmijëri u cilësua nga “Vogue Enfants” si vajza më e bukur në botë, është martuar me partnerin e saj, DJ-in 29-vjeçar Ben Attal. Çifti i ka thënë “Po” njëri-tjetrit në kryeqytetin francez, vetëm tre muaj pas shpalljes së fejesës së tyre romantike.
Në ditën e saj të madhe, 25-vjeçarja shkëlqeu me një fustan të mrekullueshëm të bardhë, i cili kishte detaje elegante të stilit pelerinë.
Ajo i kishte kapur flokët e saj brune në një model “chignon” të rregullt dhe kishte zgjedhur një grim mjaft natyral, teksa në duar mbante një buqetë me zambakë të bardhë. Çifti zgjodhi një qasje jo-tradicionale duke mbërritur së bashku në ceremoninë martesore me një makinë klasike “Porsche 356 Speedster”.
Dhëndri parizian dukej mjaft elegant me një kostum zyrtar në ngjyrë të kaltër të errët, këmishë të bardhë dhe flokët e tij të gjatë e kaçurrela të krehura pas.
Kjo martesë e shpejtë vjen pas një propozimi përrallor që Ben i bëri modeles gjatë një udhëtimi romantik në Rivierën e Athinës në Greqi.
Ai kishte organizuar gjithçka në detaje në hotelin luksoz “Four Seasons”, duke shtruar një rrugicë me petale trëndafilash të kuq drejt një tryeze me pamje nga deti Egje, ku i dhuroi asaj një unazë me diamant gjigant.
Në atë kohë, Thylane e ndau lajmin e gëzueshëm në rrjetet sociale me fjalët: “I thashë po shokut tim më të mirë.
Përtej amshimit!”





















You must be logged in to post a comment Login