Bournemouth është klubi i fundit nga Liga Premier që i është bashkuar garës për mbrojtësin e Sporting CP, Ousmane Diomande, i cili pritet të jetë një nga emrat më të kërkuar të afatit kalimtar.
Sipas raportimeve të O Jogo, Bournemouth po lëviz për transferimin e qendërmbrojtësit 22-vjeçar si zëvendësues të mundshëm të Marcos Senesi, largimi i të cilit nga “Vitality Stadium” duket gjithnjë e më pranë.
Në garë për firmën e mbrojtësit nga Bregu i Fildishtë mbetet edhe Chelsea, që tashmë drejtohet nga Xabi Alonso, duke paralajmëruar një duel interesant mes dy klubeve angleze për shërbimet e tij.
Diomande ka një klauzolë largimi prej 80 milionë eurosh, por Sporting raportohet se është i gatshëm të negociojë.
Fillimisht klubi portugez kërkonte rreth 50 milionë euro, por tani vlera e kartonit është rritur afër 60 milionë eurove dhe mund të shkojë edhe më lart në varësi të paraqitjeve të lojtarit në Kupën e Botës këtë verë.
Që prej transferimit te Sportingu në janar të vitit 2023, Diomande është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të skuadrës, duke kontribuar në fitimin e dy titujve kampion në Portugali dhe një Kupe të Portugalisë.
Ai gjithashtu është përfshirë në formacionin më të mirë të Superligës së Portugalisë për sezonet 2023/24 dhe 2024/25.
Edhe pse sezoni 2025/26 u shoqërua me probleme fizike, mbrojtësi luajti rol të rëndësishëm në rrugëtimin e Sportingut deri në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, ku skuadra u eliminua ngushtë nga Arsenali.





















You must be logged in to post a comment Login