Që nga pranimi i fletëvotimeve nga mërgimtarët për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit, janë ngritur dyshime të shumta lidhur me vlefshmërinë e tyre. Është një numër i madh i mërgimtarëve, që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës, e që kanë shprehur dyshime për llojin e fletëvotimit.
Tash e disa ditë, Klankosova.tv ka pranuar një mori ankesash të tilla, ku mërgimtarët kanë thënë se fletëvotimet nuk përmbajnë numër serik.
Gjithashtu, ata kanë deklaruar se në këto fletëvotime mungon edhe shiriti ngjitës.
Për këtë, mërgimtarët kanë ngritur dyshime për rrezikun e falsifikimit të votës së tyre, të cilën e shprehin me vullnet të plotë për të zgjedhur përfaqësuesit politikë në vendlindjen e tyre.
Përveç tyre, ka qenë edhe Muhamet Idrizi, politikani shqiptar nga radhët e CDU-së për Parlamentin e Hamburgut, që ka ngritur shqetësime lidhur me sigurinë e fletëvotimeve të diasporës.
Ditë më parë, përmes një postimi në Facebook, Idrizi ka alarmuar se dokumentet zgjedhore të dërguara deri më tani për votuesit jashtë vendit nuk posedojnë shirit sigurie, duke vënë në pikëpyetje integritetin dhe gjurmueshmërinë e materialeve zgjedhore.
Por, ndaj këtyre dyshimeve ka reaguar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili ka dalë me një sqarim për mungesën e shiritit ngjitës në pakon e votimit përmes postë.
KQZ ka thënë se mungesa e një shiriti shtesë ngjitës nuk e cenon vlefshmërinë e fletëvotimit. “KQZ njofton se, ashtu si në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën në dhjetor të vitit 2025, edhe në zgjedhjet aktuale të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, nuk është paraparë përdorimi i shiritit ngjitës të KQZ-së, i cili ishte përdorur në Zgjedhjet Lokale 2025.
Procesi i votimit me postë zhvillohet në atë mënyrë që votuesi e vendos fletëvotimin në zarfin e fshehtësisë, i cili mbyllet me ngjitësin standard që e posedon vet zarfi”, thuhet në këtë deklaratë.
Sipas KQZ-së, ky institucion vazhdimisht ka ndërmarrë masa sigurie në procesin e votimit jashtë vendit. “Fletëvotimet të cilat janë të vendosura në pakon individuale, janë fletëvotime që përmbajnë elementet e sigurisë, të ngjashme me fletëvotimet që përdoren në Kosovë, në procesin e votimit në vendvotime.
Këto elemente sigurie janë të përcaktuara nga KQZ në Rregulloren Zgjedhore për fletëvotimet dhe broshurat.
Ato përmbajnë së paku tri veçori të sigurisë, të cilat i bëjnë ato të mbrojtura nga kopjimi apo falsifikimi.
Këto veçori përfshijnë mikroshtypin, UV printin dhe elementin “anti-copy”, i cili shfaq shenjë dalluese në rast se tentohet kopjimi i fletëvotimit”, thuhet në deklaratën e KQZ-së.
Po ashtu, KQZ ka sqaruar se secili fletëvotim që u është dërguar votuesve jashtë Kosovës për votim përmes postës, është i vulosur në pjesën e pasme me vulë ngjyrë të zezë. “Pra, vula e vendosur në këto fletëvotime është me ngjyrë të zezë dhe nuk do të thotë se fletëvotimi është kopje.
Përveç këtyre elementeve, votimi me postë sigurohet edhe me pajisjen e votuesve me dëftesën e regjistrimit, një dokument unik që KQZ ua dërgon çdo aplikuesi pasi arrin regjistrohet suksesshëm si votues jashtë Kosovës”, ka thënë KQZ-së. /Klankosova.tv





















You must be logged in to post a comment Login