Forcat turke kanë arrestuar më shumë se 200 persona të dyshuar për lidhje me organizatën e vetëshpallur terroriste ISIS dhe grupe të tjera që Ankaraja i konsideron organizata terroriste, njoftuan të martën prokurorët turq.
Operacioni vjen në prag të Samitit të NATO-s, i cili do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara, ku pritet të marrin pjesë liderët e 32 vendeve anëtare të aleancës, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
Sipas Prokurorisë së Ankarasë, janë lëshuar 241 urdhër-arreste, ndërsa deri më tani janë ndaluar 209 persona.
Autoritetet bëjnë të ditur se 56 nga të arrestuarit dyshohen se janë anëtarë të ISIS-it, ndërsa 35 të tjerë lidhen me organizatën komuniste DHKP-C, e cila konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia dhe ka marrë përgjegjësinë për disa sulme në të kaluarën.
Turqia ka intensifikuar masat e sigurisë para samitit të NATO-s, duke paralajmëruar ndalimin e protestave dhe tubimeve publike, si dhe kufizimin e qarkullimit në rrugët që çojnë drejt aeroporteve.
Përgatitjet për samitin po bëhen nën masa të rrepta sigurie.





















You must be logged in to post a comment Login