Ish-mesfushori i Real Madridit, Alvaro Benito, ka dhënë një këshillë të qartë për Jose Mourinhon, duke e nxitur trajnerin portugez të studiojë modelin e Paris Saint-Germainit nëse dëshiron ta rikthejë skuadrën madrilene në nivelet më të larta.
Benito vlerësoi qasjen taktike moderne të PSG-së, duke theksuar se skuadra franceze ka rrëzuar disa prej parimeve tradicionale të futbollit. “Shikoni PSG-në, ata kanë thyer të gjitha mitet e futbollit.
Kanë hedhur poshtë idenë se një skuadër domosdoshmërisht ka nevojë për një mesfushor defensiv”, deklaroi ai.
Sipas Benitos, skuadra parisiene është ndërtuar mbi intensitetin, lëvizjen dhe fleksibilitetin e lojtarëve, duke përmendur emra si Fabian Ruiz, Khvicha Kvaratskhelia, Desire Doue dhe Ousmane Dembele, si dhe mbrojtësit e krahut që vazhdimisht marrin pjesë në fazën ofensive. “Ata kanë lojtarë të rinj portugezë, Fabianin, Kvaratskhelian, Douen, Dembelen dhe dy mbrojtës krahu që janë jashtëzakonisht të disiplinuar në mbrojtje, por vazhdimisht shtyhen përpara.
Ajo skuadër është një makineri si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm.
E rrëzon çdo ide të paracaktuar se si duhet të luajë një ekip.
Të gjithë duhet të kontribuojnë”, u shpreh Benito.
Ish-lojtari i Real Madridit theksoi se madrilenët duhet të kenë një strukturë shumë më të qartë në fushë, në mënyrë që çdo futbollist të dijë saktësisht rolin dhe përgjegjësitë e tij. “Secili duhet të ketë një dinamikë të qartë dhe të dijë kush është përgjegjës për zgjerimin e lojës, kush duhet të kërkojë pasimet në thellësi dhe si duhet të qarkullojë topi shpejt e me efikasitet.
Ekipi duhet të jetë i pozicionuar mirë gjatë ndërtimit të aksioneve.
Nuk mund të jetë thjesht ‘hajde ta qarkullojmë topin dhe të shohim kush do të bëjë diçka me talentin e tij’.
Me këtë qasje nuk mund të konkurrosh me skuadrat më të mira”, paralajmëroi ai.
Benito kritikoi gjithashtu varësinë e Real Madridit nga individualiteti i lojtarëve dhe kërkoi një sistem të qëndrueshëm, si në fazën e sulmit, ashtu edhe në atë të mbrojtjes. “Nëse për tre vite radhazi pengohesh në të njëjtin gur, nëse pas javës së 10-të sheh një ekip që nuk punon pa top, me një dozë anarkie, pa një plan të qartë në ndërtimin e aksioneve dhe pa një plan defensiv për organizimin e presingut, atëherë gjithçka ka marrë fund.
Nëse vazhdon në të njëjtën rrugë si në dy sezonet e fundit, është shumë e vështirë”, shtoi ai.
Në fund, Benito e cilësoi si detyrën kryesore të Mourinhos bindjen e futbollistëve për rëndësinë e disiplinës taktike dhe intensitetit në futbollin modern.





















You must be logged in to post a comment Login