Milani ka zyrtarizuar një “spastrim” të madh në klub, duke konfirmuar shkarkimin e trajnerit Massimiliano Allegri dhe drejtorit sportiv Igli Tare.
Në të njëjtin komunikim, klubi njoftoi se janë ndarë edhe me CEO-n, Giorgio Furlani dhe drejtorin teknik Geoffrey Moncada.
Vendimi vjen pas dështimit të Milanit për ta siguruar një vend në Top 4 dhe kualifikimin në Ligën e Kampionëve. “Rossonerët” kishin nevojë vetëm për një pikë në xhiron e fundit të Serie A, por pavarësisht se kaluan në epërsi 1-0, u përmbysën dhe humbën 2-1 në shtëpi ndaj Cagliarit, në një ndeshje ku kundërshtari nuk kishte objektiva.
Në deklaratën e publikuar nga klubi, sezoni u cilësua si “dështim i qartë”, duke theksuar se objektivi i vendosur nga pronarët ishte rikthimi në Ligën e Kampionëve dhe ndërtimi i një baze për të fituar vazhdimisht në krye të Serie A. “Për pjesën më të madhe të sezonit ishim në dy vendet e para dhe kishim mundësi reale për të garuar për titull.
Por fundi i kampionatit ishte krejtësisht i papranueshëm krahasuar me atë çfarë kishim treguar më herët, ndërsa humbja e mbrëmshme e ktheu sezonin në një dështim të qartë.
Tani është koha për ndryshim dhe riorganizim të plotë të operacioneve sportive,” thuhet mes tjerash në deklaratë.
Allegri e mbyll sezonin me Milanin pas 42 ndeshjeve zyrtare, me bilanc 22 fitore, 10 barazime dhe 10 humbje.





















You must be logged in to post a comment Login